Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është takuar këtë të martë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se Meta e njohu Bashën me skandalet e fundit antikushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti.

“Presidenti Meta e njohu Bashën me skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare”, thotë ai.

Ndër të tjera, Blushi thotë se “Meta bëri të qartë se do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton”.

Të hënën, Meta doli në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku sipas tij solli fakte të reja për kapjen e drejtësisë nga mazhoranca. Ai tha se do të shtohet një kallëzim penal ndaj Ardjan Dvoranit, të cilin e akuzon se është vënë në dispozicion të mazhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Në mbështetje të akuzës së bërë për Ardjan Dvoranin solli një korrespondencë mes tij, Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilën tha se do ta depozitojë si provë të re lidhur me procedurën e ndjekur në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Meta deklaroi ndër të tjera se nuk do të largohet nga detyra e tij dhe se grushtit të shtetit do t’i përgjigjet me dekrete./tvklan.al