Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e sapozgjedhur të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu me rastin e fillimit të ushtrimit të detyrës prej tij.

Në një njoftim nga zyra për shtyp e kreut të shtetit thuhet se, duke i uruar suksese në detyrën e tij, Meta i kërkoi Shehut që veprimtaria e Kontrollit të Lartë të Shtetit të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar politikisht.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë kushtetues i kontrollit ekonomik dhe financiar dhe veprimtaria e këtij institucioni duhet të shërbejë veç të tjerave edhe në rritjen e përgjegjshmërisë së çdo institucioni publik në menaxhimin e pasurisë publike, pa asnjë dallim, duke nisur nga Institucioni i Presidentit të Republikës”, theksoi kreu i shtetit.

Presidenti tha se Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Nga ana e tij Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu mësohet se e garantoi Presidentin e Republikës për ushtrimin me transparencë të funksioneve kushtetuese të institucionit për të cilin është votëbesuar ta drejtojë, në mënyrë profesionale dhe të depolitizuar./tvklan.al