Presidenti  Ilir Meta u prit në një takim të posaçëm nga Presidenti i Senatit Amerikan, Senatori Orrin Hatch.

Meta i shprehu Presidentit të Senatit mirënjohjen për ndihmën e  deritanishme që SH.B.A.-ja dhe Senati në veçanti, i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e reformave të brendshme në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në vend.

“Shqipëria dhe shqiptarët”, – nënvizoi Presidenti Meta, “nuk do të harrojnë kurrë ndihmën jetike që SH.B.A.-ja u ka dhënë atyre gjatë gjithë historisë”

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” – nënvizoi Presidenti Meta, “është partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe ne mbetemi tërësisht të angazhuar për forcimin dhe konkretizimin e partneritetit strategjik në të ardhmen, me interes të përbashkët të dy vendeve tona”.

Shqipëria është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, si e vetmja rrugë për forcimin e sigurisë e stabilitetit, por edhe mirëqenies së popujve tanë, që kanë vuajtuar aq shumë nga konfliktet e të shkuarës.

SHBA ka një rol të pazëvendësueshëm në arritjet e deritanishme të Ballkanit në drejtim të paqes e stabilitetit. Angazhimi i tyre edhe në të ardhmen është i domosdoshëm për të mos cënuar arritjet e deritanishme.

Shqipëria mbështet politikën e “dyerve të hapura” të NATO-s, e pas anëtarësimit të Malit të Zi, urojmë që edhe Maqedonia të bëhet anëtare e Aleancës.

Ndërkohë, – theksoi Presidenti Meta, “

inkurajojmë që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me sukses për të garantuar të ardhmen europiane të dy vendeve”.

Presidenti i Senatit Amerikan, Orrin Hatch shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me Presidentin Meta, duke vlerësuar lart miqësinë e fortë mes dy vendeve tona dhe shprehu mbështetjen e Senatit për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve, jo vetëm në interesin e përbashkët, por edhe në dobi të paqes e zhvillimit të rajonit tonë.

/tvklan.al