Meta: Të edukojmë të rinjtë me punë. Kultivuan kanabis dhe sot janë në burgje



Meta: Të edukojmë të rinjtë me punë. Kultivuan kanabis dhe sot janë në burgje

13:11 26/12/2018

Presidenti Ilir Meta vizitoi sot Qendrën Sociale për pensionistët të Kryqit të Kuq Shqiptar në Tiranë me rastin e festave të fundvitit.

Presidenti Meta vlerësoi përkushtimin dhe përkujdesjen e Kryqit të Kuq Shqiptar për ngritjen e kësaj qendre dhe shprehu mirënjohjen për kontributin gjatë gjithë jetës së tyre për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Kreu i shtetit bëri gjithashtu apel që të rinjtë të mësohen me ndjenjën e punës dhe të edukohen, në mënyrë që të mos punojnë nëpër fushat e kanabisit, shumë prej të cilëve sot ndodhen nëpër burgjet e Europës.

“Ne të gjithë duhet të tregojmë më shumë mundësi, jo vetëm për të përfituar nga përvojat dhe aftësitë tuaja në të kaluarën, por edhe t’i investojmë këto përvoja për ta edukuar më mirë brezin e ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, të korrektësisë, të bërjes së punës me dinjitet dhe përgjegjshmëri, e jo të gjetjes së rrugëve të lehta në jetë, të cilat sjellin pastaj një kosto shumë të madhe për të rinjtë vetë, për familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë.

Vetëm po të kemi parasysh numrin e të rinjve që janë marrë me kanabis dhe janë sot nëpër burgje në Europë, do të kuptojmë se sa i rëndësishëm është edukimi i të rinjve, brumosja e tyre me ndjenjën e punës, të marrjes së një profesioni të denjë, aq më tepër të profesioneve që deri dje mund të dukeshin si jo shumë të preferuara, por që janë nga profesionet më të nderuara për të ndërtuar një jetë me të ardhura shumë të mira dhe dinjitoze, sepse profesionistët mungojnë dhe ata kërkohen gjithnjë e më tepër në tregun e punës”.

Presidenti u shpreh i gatshëm për të diskutuar me pensionistët problemet që ata mund të kenë, lidhur me skemën e pensioneve apo çështje të tjera ligjore.

“Emigracioni, ashtu sikurse ka pasur aspektet e veta pozitive në fillim, tashmë është kthyer në një problem shumë të madh. Tani jemi të ndërgjegjshëm edhe për problemet e mëdha të vetmisë, me të cilat ndeshen shumë familjarë e prindër. Kemi edhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me përballimin e pensioneve, të skemës së pensioneve dhe rritjen e tyre në të ardhmen, që janë probleme objektive ndaj të cilave duhet të tregojmë më shumë vëmendje. Jam i hapur në çdo rast që ju dëshironi të diskutojmë për problemet, nismat që mendoni se duhen mbështetur si nga ana ligjore, si nga aspektet e tjera, për vlerësimin e personaliteteve të brezave tuaj që mendoni se nuk kanë marrë vëmendjen e duhur si dhe për çdo bashkëpunim tjetër”. /tvklan.al








Të ngjashme