Referendume që të vendosë vetë populli

Presidenti Ilir Meta foli sërish edhe këtë të shtunë për mbajtjen e një referendumi, nismë të cilën e ka artikuluar me forcë ditët e fundit.

Në një postim në rrjetet sociale, me akuza për klasën politike se ka thelluar krizat, se nuk mban përgjegjësi dhe se pengon prej më shumë se dy dekadash ligjin për referendumet, presidenti thotë se tani ka ardhur koha që fjalën ta marrë populli për të vendosur.

“U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte!
Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!
Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve.
Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet?”

Por cili do te jetë objekti i referendumit që flet Presidenti? Kreu i shtetit thotë se do ta bëjë publike të hënën idenë konkrete, por ai ka postuar nenin 150 të kushtetutës, duke thënë se ky është neni që ka vendosur populli shqiptar ne referendumin për Kushtetutën. 

Por kushtetuta ka dy nene kur flitet për referendumin.

Neni 150 të cilit i referohet kreu i shtetit thotë se, “Populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës mbajtjen e tij për çështje të një rëndësie të veçantë”.

Ndërsa nenin 177 sanksionon se për ndryshimet Kushtetuese vendos vetë Parlamenti, i cili mund t’i drejtohet më pas popullit për referendum, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ose 28 deputetë, dhe kur miratohet nga dy të tretat, ose 94 deputetë.

Nëse referendumi do të jetë për ndryshimet kushtetuese, siç lë të kuptohet Presidenti, propozimi do të duhet të kalojë nga Kuvendi dhe ka nevojë edhe për votat e deputetëve të opozitës, të cilët kreu i shtetit nuk i njeh.

Ndërsa procedurat e tjera e kanë komplikuar zhvillimin e referendumeve në Shqipëri, aq sa ne dy dekada nuk është zhvilluar asnjë i tillë.

Tv Klan