Takime me krerët e partive që dogjën mandatet e deputetëve

Presidenti Meta përforcoi edhe këtë të shtunë qëndrimin e shprehur një ditë më parë se Gjykata Kushtetuese përbën një vijë të kuqe, të cilën thotë se nuk do të lejojë që të shkelet.

Kreu i shtetit postoi në faqen zyrtare në rrjetet sociale një pjesë të deklaratës së bërë një ditë më parë teksa paralajmëroi kallëzim penal për kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin.

“Unë nuk kam ndërmend të tallem me Kushtetutën. Boll janë tallur me Kushtetutën e Shqipërisë që u votua me konsensus. Te Gjykata Kushtetuese vija është e kuqe, dhe e kuqe flakë”.

Po gjatë kësaj të shtune presidenca ka lajmëruar se presidenti iu ka kërkuar takim në një kohë sa më të shpejtë, mundësisht përpara të mërkurës së 20 Nëntorit, kryetarëve të 9 partive që braktisën Kuvendin në Shkurt 2019. Në letrën dërguar Lulzim Bashës që Tv Klan e disponon thuhet se tematika e takimit lidhet me situatën dramatike sipas tij ku ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme.

Zëdhënësi i presidentit paralajmëroi edhe publikimin gjate javës së ardhshme të një videoje që do të faktojë dhunimin që ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe ajo që zëdhënësi i Presidentit e quan si bande.

Në njoftim thuhet se po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë të përfshirë në situatën e krijuar me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Tv Klan