Rama po i shërben lobit proserb? Haxhiu: Paranojë e Metës

Gazetari Baton Haxhiu tha në “Opinion” këtë të martë se akuzat e Presidentit Meta, sipas të cilit Kryeministri Rama po i shërben lobit proserb në Uashington duke destabilizuar vendin, janë paranojë e kreut të shtetit.

Në një lidhje direkte nga Prishtina, Haxhiu i kërkoi Metës që të paraqesë prova nëse ka për bashkëpunimin e Ramës me Serbët dhe  ta heqim nga detyra.

Blendi Fevziu: Meta ka bërë një akuzë shumë të rëndë, ndoshta ndër më të rëndat që unë kam parë. Ai ka bërë një akuzë që është ndër më të fortat që një President mund të bëjë ndaj Kryeministrit të vendit. Presidenti thotë se pritet të ketë ndonjë zhvillim, për të cilin thotë se Kryeministri në Shqipëri provokoi shembjen e teatrit në favor të lobit serb në Uashington dhe në paraprirje të një zhvillimi në Kosovë. Për çfarë zhvillimi bëhet fjalë?

Baton Haxhiu: E para e punës, a don një koment serioz në kësi konstatimi? Esenca është që Presidenti ka hy në një situatë psikologjike që quhet paranojë. Nuk është dashur të vijë deri në këtë pikë sa teatri në lidhet me lobin ruso-serb në Uashington.

Blendi Fevziu: Rusin e shtove ti se vetëm serbin kishte Presidenti.

Baton Haxhiu: Të thuhet për të destabilizuar Shqipërinë përmes teatrit, është vetëm interpretim i Presidentit. Sa i përket asaj që ‘pyete Batonin se çfarë do të ndodhë në Kosovë”, e dimë të gjithë se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim këto ditë për të përcaktuar a duhet të rrijë Albin Kurti në qeveri apo jo… Më falni po nëse Presidenti i vendit ka informacion…zakonisht për të humbur gjurmë, për të krijuar një farë paranoje institucionale, Presidenti thotë unë kam dokumente, do të vijë koha që ta them, ky mund ta shpjegojë…Presidenti i vendit të na japë një shenjë që ky bashkëpunon me Serbinë dhe Edi Ramën ta heqim nga aty. /tvklan.al