Meta thërret për t’u betuar 3 anëtaret e zgjedhura të Gjykatës Kushtetuese


Meta thërret për t’u betuar 3 anëtaret e zgjedhura të Gjykatës Kushtetuese

14:36 14/11/2019

Ilir Meta ka thërritur sot për t’i betuar në Presidencë tre anëtaret e reja të zgjedhura të Gjykatës Kushtetuese.

Elsa Toska e zgjedhur nga Kuvendi do të betohet në orën 19:00, Marsida Xhaferllari e dekretuar nga Presidenti do të betohet në orën 19:30 dhe Fiona Papajorgji e zgjedhur nga Kuvendi do të betohet në orën 20:00.

“Presidenti Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ka vendosur të thërrasë sot për betim, përpara Presidentit të Republikës, anëtarët e rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese. Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës.

Ndërsa Arta Vorpsi e bëri betimin sot tek noteri si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ajo është shpallur anëtare e kësaj Gjykate si kryesuese e listës sepse Presidenti nuk u shpreh brenda 30 ditëve. Por në një reagim të tij, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ironizon se kreu i shtetit nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja. /tvklan.al

Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi