Për tërmetin pranon që nuk u konsultua me sizmologët

Presidenti Ilir Meta doli për të dytën herë brenda javës në një konferencë për shtyp për zgjidhje politike në vend. Kreu i shtetit beson se dalja nga kjo situatë vjen vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe atyre presidenciale me 13 Tetor.

“Presidenti është edhe më i hapur, sepse nuk ka frikë nga vota e qytetarëve shqiptarë. Që në rast se kërkon kryeministri të lërë edhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkurruar në 13 Tetor, përpara shqiptarëve, por vetëm një kusht, pra që të mos jetë President në fushatë, por me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet, i cili ka qenë në këtë zyrë dhe i cili ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik është mbi çdo gjë tjetër dhe që nuk e ha shantazhin dhe presionin, siç është profesor Rexhep Mejdani. Kjo është tërësisht e zgjidhshme, nuk e kam biseduar me njeri, që jam i sigurt, se ato 2-3 çështje të rëndësisë kombëtare që trajtohen nga kjo zyrë, do t’i mbronte ndoshta edhe më mirë se unë.”

Por edhe pse Presidenti mendon se 13 tetori do te sjellë zgjidhje, opozita e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje edhe në këtë datë, me largimin e kryeministrit Rama. I pyetur se si mund të vijë zgjidhja pa pjesëmarrjen e opozitës në garë, Meta tha se nuk mund t’u imponohet palëve për të marrë apo jo pjesë në zgjedhje.

“Presidenti nuk ka asnjë mundësi që t’i imponojë askujt pjesëmarrjen me pahir, merret pjesë me dëshirë dhe vullnet. Me siguri mund të them që në 13 Tetor edhe sikur partitë e opozitës përsëri të vijojë me riorganizimet e tyre të brendshme dhe çështje të tjera, unë jam i sigurt dhe do të punoj që të paktën partitë e reja të kenë kohë të regjistrohen në mënyrë të ligjshme për kandidatë në 61 bashkitë që të kemi zgjedhje dhe jo votime.”

Por cili do të jetë hapi i radhës nëse zgjedhjet nuk mbahen në 13 tetor?

Presidenti u pyet edhe nëse ishte konsultuar me sizmologët përpara se të jepte alarmin për një termet 150 ballë që i kanoset Ballkanit, çka ka shkaktuar jo pak konfuzion tek qytetaret.

Këtë javë presidenca ka organizuar për çdo ditë konferenca për shtyp për situatën politike, dekretim ligjesh, apo edhe për vetë çështjen e tërmetit apokaliptik prej 150 ballësh.

Tv Klan