Presidenti Ilir Meta ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion kallëzimin penal shtesë ndaj Ardian Dvoranit të cilin e paralajmëroi një ditë më parë gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp.

Lajmin e bën të ditur vetë kreu i shtetit, i cili thotë ndër të tjera se pritet të dalin në dritë fakte të reja për persona të tjerë të implikuar në grushtin e shtetit.

“Pasi u njoha me provat e reja tronditëse të angazhimit të tij në grushtin e shtetit, sapo kam firmosur shtesën në kallëzimin penal ndaj z.Ardian Dvorani. Fakte të reja pritet të dalin në dritë edhe për persona të tjerë të implikuar në grushtin e shtetit, të cilët nuk do munden t’i shmangen përgjegjësisë për konsumimin e veprave të rënda penale. Ju garantoj se grushti i shtetit do shpartallohet në mënyrën më shembullore”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Në mbështetje të akuzës së bërë për Ardjan Dvoranin Meta publikoi dje një korrespondencë mes tij, Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Sipas presidentit Meta, në shkelje flagrante kreu i KED-së, përmes një shkrese të datës 8 Nëntor, ka keqinformuar Kuvendin duke fshehur informacionin e mbërritur nga Presidenti i Republikës në datën 5 Nëntor.

Kreu i shtetit tha se e kishte vënë në dijeni KED-in mbi vullnetin e tij të shprehur për ushtrimin e kompetencës për vakancën e krijuar me emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese./tvklan.al