Pak ditë pasi hodhi dyshime mbi legjitimitetin e parlamentit, Presidenti për herë të dytë brenda 10 ditëve i është drejtuar komisionit të zgjedhjeve me të tjera pyetje mbi përbërjen e legjislativit.

Në shkresen e fundit, kreu i shtetit i kërkon titullarit të këtij institucioni informacion shtesë mbi praktikën e ndjekur nga Kuvendi për njoftimin e krijimit të vakancave pas vendimit të deputetëve të opozitës për të djegur mandatet.

Meta, në shkresën që mban firmën e Sekretares së Përgjithshme të Presidencës, kërkon që kërkesa e tij të shqyrtohet me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe që informacioni t’i vendoset në dispozicion në një kohë sa më të shkurtër.

Në letrën e parë, e cila erdhi një ditë pasi socialistët deklaruan se do të nisnin procedurat për shkarkimin e kreut te shtetit, duke miratuar rezolutën e tyre në parlament, Meta i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informacion për numrin aktual të deputetëve.

Vetë Presidenti ka deklaruar këto ditë se ai është zgjedhur nga një parlament legjitim dhe jo një parlament si ky i tanishmi.

Tv Klan