Presidenti Ilir Meta ka shprehur hidhërimin e tij për shuarjen e artistit të madh Agim Krajka. Në një postim në rrjetet sociale presidenti vlerëson kontributin e vyer të kompozitorit të shquar dhe thekson se trashëgimia e tij e pasur artistike do të nderohet dhe do jetojë përjetë.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të kompozitorit tonë të shquar, Nderit të Kombit, Agim Krajka. Personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare, me një kontribut të vyer për dekada në transmetimin e vlerave më të spikatura shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj, trashëgimia e Tij e pasur artistike do të nderohet dhe do jetojë përjetë. Duke u përulur me nderim e mirënjohje të thellë para veprës së Tij, u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së dashur Krajka, kolegëve dhe të gjithë artdashësve shqiptare për këtë humbje të pazëvendësueshme, që na ka lënduar të gjithëve. Lutemi, që shpirti i Tij të gjejë paqen e merituar!”, shkruan Meta.

Kompozitori Agim Krajka u nda nga jeta të hënën në moshën 83-vjeçare./tvklan.al