“Rama është i pashpresë në humbjen e tij”

Presidenti Ilir Meta ka hedhur dyshime të forta se zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar po punojnë kundër interesave të vendit në çështjet e arbitrazhit ku shqipëria është palë e paditur.

Duke iu referuar padisë më të fundit të paraqitur nga kompania Kurum në Gjykatën e Arbitrazhit, ku ajo kërkon 100 milionë euro për një kontratë të parespektuar nga shteti shqiptar, kreu i shtetit tha se përfaqësues të Avokaturës së Shtetit po bashkëpunojnë me kompanitë duke dëmtuar interest financiare të shqiptarëve.

Ka dyshime për një lojë të dyfishtë korruptive të zyrtarëve të caktuar të qeverisë, që do të thotë që përfitojnë edhe nga kompania që merr apo trashëgon aktivitetin e investitorit, të cilit i zgjidhet kontrata, por bashkëpunojnë edhe me investitorin, i cili humbet kontratën në Arbitrazh, duke mos mbrojtur siç duhet interesat e shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë ne shkojmë drejt një katastrofe financiare”, tha Meta.

Por kryeministri Edi Rama i pyetur lidhur me këtë shqetësim të presidentit tha se Shqipëria nuk ka humbur asnjë çështje në arbitrazh pasi asnjë proces nuk ka përfunduar.

Deri tani që flasim nuk kemi asnjë proces të përfunduar dhe të kemi humbur. Kemi skuadra të përbashkëta të Avokaturës së Shtetit dhe avokatë të huaj që po punojnë për të zbrapsur vendime të natyrës paraprake”, u shpreh kryeministri.

Në komunikimin e tij të përjavshëm me mediat, kreu i shtetit komentoi edhe zhvillimet politike në vend, duke thenë ai tha se pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kodin Zgjedhor, ajo do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Këto lojërat me Kodin t’i lërë se është i pashpresë në humbjen e tij që kërkon ta kthejë në një tragjedi për Shqipërinë”, tha Meta.

Ndaj ai kërkoi që mazhoranca të heq dorë nga ndryshimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor dhe t’i përmbahet marrëveshjes së 5 qershorit.

“Të respektojë marrëveshjen e qershorit, që garonton listat e hapura. Por ka frike se ai me lista të hapura në asnjë qark nuk del deputet”, u shpreh Presidenti.

Tv Klan