Drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta vëren defektet bazë që ka projektbuxheti i vitit 2005 për mungesën e theksuar që bën qeveria ndaj varfërisë dhe problemeve të mprehta sociale me të cilat përballen qytetarët. Sipas Metës, këto janë taktika elektorale për të kaluar momente të vështira, pasi qeveria nuk do të jetë në gjendje të mbajë premtimet. Lëvizja Socialiste për Integrim do të paraqesë në kuvend amendamentet e saj për projektbuxhetin.

Ilir Meta: “Po kështu, i kërkojmë qeverisë të pranojë propozimet tona për projektbuxhetin pasi jemi të mendimit që ka ardhur momenti kur duhet t’i themi realisht jo evazionit fiskal, kontrabandës, ekonomisë informale, trafiqeve, privatizimeve klienteliste, e theksoj edhe një herë, si ai i Hotel Tiranës dhe i të tjerave që po përgatiten, monopoleve dhe hartimit të legjislacionit fiskal që favorizon bizneset e qeveritarëve të sotëm. Gjithashtu, kërkojmë që, si pjesë e paketës së ligjeve për buxhetin e vitit 2005, të jetë edhe ligji i hartuar dhe i paraqitur prej muajsh tashmë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për konfliktin e interesave. Rritjet e pagave dhe të pensioneve synohet që të bëhen në 1 mars dhe jo më vonë, pra të bëhen përpara fillimit të fushatës elektorale.”

Nëse qeveria do të pranojë propozimet e deputetëve të LSI-së, vota e tyre në parlament do të jetë pro projektbuxhetit, në të kundërt nuk do ta votojnë atë. Meta shprehet përsëri i sigurt se Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë fituesja e zgjedhjeve, kjo, pasi sipas tij, ka ardhur koha e rotacionit politik, por Meta nuk mund të pajtohet me dy figurat politike të 14 viteve të fundit siç janë Nano dhe Berisha. /tvklan.al