“Të merren menjëherë masa”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vizituar këtë të premte Kalanë e Krujës. Kreu i shtetit në një postim në rrjetet sociale deklaron se simboli i trashëgimisë sonë kombëtare është dëmtuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit. Veçanërisht thekson ai, dëmtime të shumta kanë pësuar Kulla e Kambanës dhe Teqeja e Dollmës.

“Vizitova sot Kalanë e Krujës, kurorën e krenarisë së trashëgimisë tonë kombëtare, të dëmtuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.
Veçanërisht Kulla e Kambanës dhe Teqeja e Dollmës, dy nga monumentet unike dhe mjaft të rëndësishme të Kalasë, kanë pësuar dëmtime shumë të rënda, për të cilat duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund”,
shkruan Meta.

51 persona humbën jetën për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit. Qindra persona mbetën të plagosur ndërsa shumë ndërtesa pësuan dëmtime të rënda duke u shpallur të pabanueshme. Dëmtimeve nuk i shpëtoi as Kalaja e Krujës. /tvklan.al