Presidenti Ilir Meta tha se ka pasur disa takime me Kryeministrin Edi Rama, jashtë syrit të opinionit publik dhe sipas kreu të shtetit, ai e dinte mirë shqetësimin e tij për situatën politike në vend. Meta tha se duhet të kishte qenë vetë Kryeministri që duhet të kishte kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.

“Kemi patur një drekë sekrete. Kemi pasur disa, por e fundit në Pallatin e Brigadave para 10 ditësh ndoshta, ku kemi biseduar dhe ku ai e di shumë mirë dhe e ka ditur gjithmonë se sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe për tejkalimin e saj. Sigurisht që i takonte atij si kryeministër që të kërkonte një datë tjetër për zgjedhje vendore. Unë që në 24 Maj, publikisht kam shprehur gatishmërinë time për t’i shërbyer një zgjidhje pas dakordësimit të palëve për të shfuqizuar datën 30 Qershor dhe për të gjetur zgjidhje për një datë tjetër”.

Por Meta tha se “për fat të keq kjo kërkesë e imja për dialog për arsyetim të përbashkët në interes të vendit nuk ka funksionuar dhe dy tre ditë përpara se të merrej ky vendim, Edi Rama ka qenë në një emision televiziv dhe ka bërë të qartë që pala e tij nuk e vë në diskutim datën 30 Qershor”.

“Nuk kam bërë ndonjë tentativë për të komunikuar me Ramën atë ditë, sepse ai më ka nderuar, ka vizituar vendin tim të origjinës sime, Skraparin dhe ka qenë edhe në Berat, për të marrë pjesë në mitingun që do të zhvillohej në të njëjtën kohe me protestën e PD. E vërteta është që kam bërë një përpjekje për të takuar Ruçin, por ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës. Kjo është e gjithë historia përse zoti Rama nuk ka qenë i surprizuar nga vendimi im. Unë jam i surprizuar nga reagimi i tij pas këtij vendimi, megjithatë ka kohë të reflektojë”, tha Presidenti./tvklan.al