Presidenti i vendit, Ilir Meta, mesditën e kësaj të premteje ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka paraqitur një projekt-platformë me 14 pika të cilin ia ka dërguar disa javë më parë kryeministri Edi Rama, ndërsa tha se nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tij.

Presidenti Meta tha se ka marrë vetëm një reflektim për pikën 10 dhe një përgjigje indirekte, kur iu tha se do ishte mirë që të bëhej një mbledhje e Këshillit të Sigurisë.

“ Që në datën 8 Prill ia kam nisur kryeministrit Rama këtë projekt-platformë, të cilën po e bëj sot publike, të cilën ua kam paraqitur të gjithë anëtarëve të BE… Nuk kam marrë asnjë përgjigje për këtë platformë.

Drafti përmban këto pika:

1- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.

2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.

5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.

6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.

7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.

8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.

9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.

11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.

13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.

14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Gjatë fjalës së tij Meta ka komentuar edhe vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar, të cilin e cilësoi si një ngjarje tronditëse.

 “Më duhet t’ju them se kam bërë çdo përpjekje për të menaxhuar sa më mirë si shtet, por dhe për të krijuar një klimë sa më pozitive në mënyrë që të mos harronin provimet e Qershorit dhe Tetorit, provimet e BE. Gjithnjë më shumë na lënë detyra për të përmbushur, ndaj kam bërë çdo gjë që të krijojmë atë klimën pozitive që të përmbushnim sa më shumë nga 15 detyrat e BE”. /tvklan.al