2 ditë pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, Presidenti Ilir Meta ka ofruar një zgjidhje për krizën politike që ka mbërthyer vendin. Sipas tij, përveç zgjedhjeve lokale, më 13 Tetor duhet të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe zgjedhjet për President.

“Në 13 Tetor edhe zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për Presidentin. Dhe unë do të kandidoj për President, me këto kompetenca që janë, skam asnjë shqetësim, dhe Edi Rama e Kuvendi Socialist që s’më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit të qytetarëve shqiptar. Që të mos na shkojnë prapë të na futen në Ambasada dhe të mbushin prapë anijet dhe të ikin në Europë. Boll e zbrazëm Shqipërinë.”

“Ky është propozimi im, nëse ka ndonjë propozim Zoti Rama, ta dëgjojmë. Për mua demokracia është e panegociueshme, nuk e negocioj demokracinë me asnjë ambasadë dhe me të gjithë botën.  Unë jam këtu ku jam, prej 30 vitesh, vetëm falë demokracisë. Zgjedhjet (vendore) janë më 13 Tetor, dekretin e presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë.”

Meta paralajmëroi se “do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.” /tvklan.al