Presidenti Ilir Meta kërkon hetim për fletët e votimit të shpallura të pavlefshme. Në një konferencë shtypi nga institucioni që ai drejton, Meta deklaroi se ka përfunduar procesi i votimit, por jo zgjedhjet dhe administrimi i votave.

Kreu i shtetit ngre dyshime mbi numrin e madh të fletëve të votimit që janë të pavlefshme duke bërë thirrje që të mos preket më asnjë kuti me vota dhe të nisë një hetim për çdo pasaktësi që mund të ketë.

Ndryshe nga sa deklaroi KQZ, Presidenti Meta thotë se pjesëmarrja në votimet ka qenë 74%.

Zgjedhjet nuk kanë përfunduar. Dita e votimeve po. Administrimi vazhdon. Rezultati vazhdon dhe i ka të gjitha mundësitë të jetë një rezultat vetëm paraprak, sepse procesi i numërimit nuk ka pëfunduar ende. Por procesi i ankimit nuk ka nisur ende. Pjesëmarrja reale është 74% e qytetarëve të republikës. Mohimi i emigrantëve që nuk patën mundësi, mohimi i gjithë qytetarëve tanë të prekur nga Covidi, por edhe arsye të tjera. Kanë marrë pjesë në votime 1.666.885. Në këto zgjedhje kemi numër të paprecedentë të fletëve të pavlefshme dhe kushdo ka të drejtë të dyshojë se si nga 20-25 mijë që ka qenë në të kaluarën të pavlefshme, aktualisht është mbi 83 mijë. Duhet me shumë përgjegjshmëri të mos preket më asnjë kuti votimi, të mos preket më asnjë fletë votimi. Të numërohet dhe të rinumërohet gjithçka. Forcat politike të mos merren me analiza të zgjedhjeve, por t’i shërbejnë mbarëvajtjes së procesit me transparencë. Të bëhet një hetim i fletëve të pavlefshme”, deklaroi Presidenti Ilir Meta.

I pyetur nga gazetarët nëse do ta mbajë fjalën për të dhënë dorëheqjen sikurse kishte deklaruar para zgjedhjeve, Meta tha se dita e fundit e tij në Presidencë do të jetë 24 Korriku i vitit të ardhshëm.

“Në 24 Korrik 2022 këtu do ta bëjmë konferencën e fundit për shtyp së bashku. Përqëndrohuni këtu. Të respektohet çdo votë që është hedhur deri në fund”.

Sa i përket rezultatit të dobët që LSI mori në këto zgjedhje, Ilir Meta dha këtë përgjigje: “Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje. Ka qenë vetëm një qytetar. Nuk ka bërë thirrje për të votuar asnjë subjekt politik. Në të ardhmen do të keni mundësi të shikoni se sa vota merr Ilir Meta”. /tvklan.al