“Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme”

Vlerësimi i përmirësuar nga agjencia prestigjioze Standard and Poor’s, për ministrin e Financave Ervin Mete nuk është një rastësi, por një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë shqiptare.

Në një dalje të posaçme për mediat ai theksoi se rishikimi pas 7 vitesh në rritje i perspektivës për Shqipërinë është një hap në drejtim të grupit të vendeve që konsiderohen me financa publike më të forta.

“Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme dhe relativisht e lartë, afro 4% në terma vjetorë, pavarësisht vështirësive që po has ekonomia botërore. Inflacioni u rikthye në trend ulës brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke arritur në 4% në muajin Gusht 2023. Papunësia ka arritur nivelet më të ulëta historike, prej 10.7% në fund të tremujorit të dytë të këtij viti”.

Krahas reformave ekonomike, Mete evidentoi si faktor që kanë ndikuar në këtë vlerësim edhe investimet e huaja dhe zhvillimin turistik që ka pësuar vendi.

“Investimet e huaja vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta, duke arritur në afro 700 milionë Euro në 6-mujorin e parë të vitit 2023, ndërkohë që turizmi ka patur një zgjerim të jashtëzakonshëm që kërkon një ndjekje të dedikuar sa i përket përmirësimit të kapaciteteve pritëse dhe shërbimeve të lidhura me industrinë mbështetëse të këtij sektori”.

Ai theksoi se si rezultat i përmirësimit të bilancit tregtar, të ardhurave nga turizmi dhe i investimeve të huaja direkte, ka patur përmirësim të ndjeshëm të ekuilibrit të jashtëm, teksa llogaria korrente pritet të zbresë poshtë 6% të PBB-së për herë të parë pas 15 vitesh.

Agjencia Standard & Poor’s rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, duke konfirmuar vlerësimin B+.

Tv Klan