Një meteor është rrëzuar në Kroaci gjatë ditës së sotme. Rrjeti Meteorologjik kroat konfirmoi se meteori ishte djegur sapo kishte hyrë në atmosferë, mbi Kroacinë. Sipas informacioneve, meteori u dogj pjesërisht dhe një pjesë e vogël e tij ra në tokë.

Mediat kroate raportojnë se meteori shpërtheu në flakë në zonën perëndimore të Kroacisë.

Ngjarja është filmuar nga dëshmitarë të cilët raportuan se panë një objekt të shndritshëm në qiell dhe më pas dëgjuan zhurmë.

Nga përplasja në tokë, u shkaktuan lëkundje të tokës të cilat u ndjenë deri në Zagred e Karlovac.

Qytetarët raportuan se ishte tërmet. Qendra Sizmiologjike Evropiane, EMSC, pas këtyre zhvillimeve, reagoi duke thënë se nga verifikimet rezultonte që nuk kishte rënë asnjë tërmet. Por në fakt, lëkundjet e tokës ishin shkaktuar nga përplasja e meteorit.

“Mëngjesin e sotëm qytetarët raportuan se kishin ndjerë lëkundje toke. Ne zbuluam që nuk ishte shkaktuar nga një tërmet, por nga një meteor”, bën me dije EMSC.  

Nga mediat kroate, nuk ka raportime që të ketë persona të lënduar nga rrëzimi i meteorit në Kroaci. /tvklan.al