Mënyra e të punuarit të trajnerit të Anglisë Tomas Tuchel po sjell shqetësime në ishull!
Gjermani nuk ka qenë i pranishëm në më shumë se gjysmën e fundjavave të Premier League si tekniku i ri i “Tre Luanëve”.
Tuchel ka ndjekur takimet në vetëm dy fundjava nga pesë në total, që nga marrja e detyrës së tij më 1 Janar.
Gazeta “The Times” raporton se 51-vjeçari ka zgjedhur të mos jetë dhe në dy raundet e FA Cup dhe në katër ndeshjet gjysmëfinale të Carabao Cup.
Mënyra e tij e të punuarit është e ndryshme nga ajo e ish-teknikut Gareth Southgate dhe ish-ndihmësit të tij Steve Holland, të cilët kanë ndjekur mesatarisht pesë ndeshje të Premier League çdo fundjavë.
Në bazë të akordit me Federatën Angleze, Tuchel është lejuar të punojë nga banesa në Gjermani.
Në total, tekniku 51-vjeçar ka ndjekur 17 ndeshje në kampionatin anglez dhe në kompeticionet europiane që kur u ul në stolin e “Tre Luanëve”.
Gjermani ka vizituar bazën e Kombëtares Angleze në shumë raste.
Sfida e parë e Anglisë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026 do të jetë kundër Shqipërisë më 21 Mars në stadiumin “Uembli”. Takimi do të transmetohet ekskluzivisht në TV Klan.
Klan News