Melvadia është bërë pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ku ka rrëfyer për situatën e ndërlikuar që ka pasur ndër vite me pronarin e saj që e ka marrë në punë për të pastruar stallën dhe bulmetin në fshatin Drithas të Libonikut, në rrethin e Korçës. Ajo ka treguar se pronari është sjellë keq me të dhe djalin që kanë punuar për shumë vite, nuk e paguante aspak dhe shpesh here abuzonte. Kur Mevladia dëshironte të largohej nga puna, ai e kërcënonte me jetën djemve të saj. Ajo tregon se kanë blerë një shtëpi nga ai dhe pas shumë vitesh arritën të rregullonin të gjitha letrat e nevojshme dhe të shlyheshin.

Mevladie: Në Maj të 2019 unë u operova dhe kam pasur pranë djalin e tretë dhe të vogël. Djali i vogël ka dhënë gjak, nuk e ka lënë të pushonte djalin e vogël asnjë minutë. I ka thënë merr makinën e shko tek puna sepse ka punë për të bërë. Kur ka ardhur djali ditën tjetër, më tha mami kështu ma bëri. Kaloi kjo dola nga spitali, më vinte në shtëpi dhe më lutej që të vija tek puna. Punën harroje i thashë, se kur unë isha keq nga duart, ti nuk më dhe një ditë lejë. Unë thashë shyqyr që u operova që të largohesha nga ajo punë. Kisha dy vite që po kërkoja të largohesha, djali vazhdoi dhe pak dhe u shkëput dhe ai.

Mirela Milori: Si ishte puna e parave dhe letrave të shtëpisë, e keni shlyer?

Mevladie: Nuk e kisha shlyer, në Gusht të 2019 këtij zotërisë i bie zjarr në stalla dhe i digjet e gjithë baza ushqimore që mblidhte për dimër. I kam rënë telefonit, nuk ma ka hapur. Kur kam parë që kishte zjarr, kam ikur rrugës dhe më kanë kthyer në mes të rrugës, më kanë thënë Ludi ku do vesh ti se vajtëm ne dhe nuk bëmë gjë. I pyeta ku ka rënë zjarri, tek filani thanë. Thashë obobo ajo punë më rriti fëmijët, si ka mundësi. Ishte ora 10 i natës, shkova në shtëpi. Pas 3 ditëve unë ika në Skrapar.

Mirela Milori: Ai dyshonte se ia kishit vënë ju zjarrin?

Mevladie: Pas një javë u ktheva, më erdhi në shtëpi dhe më tha posi ma vutë zjarrin stallës dhe ikët. I thashë si s’të vjen zor se ajo stallë më rriti fëmijët. Në 1 Qershor i kam kërkuar të më jepte letrat e shtëpisë sepse kisha hall që do ngelja pa shtëpi dhe më ka thënë i ka marrë ish-bashkëshortja në Tiranë, nuk i kam në shtëpi.

Pas shumë mundimesh Mevladia arriti t’i merrte letrat e shtëpisë dhe u rehatuar. Por sipas saj ky njeri ka tentuar t’i vendosë zjarrin banesës së saj. Madje jo një herë, por tre herë. Hera e parë ka qenë në muajin Qershor të vitit të kaluar.

Ishte natë, Mevladia ishte në gjumë, banesa u dëmtua por falë komshinjve që e fikën zjarrin nuk pati dëme njerëzore. Hera e dytë ishte në muajin Gusht të vitit të kaluar, dhe hera e tretë në 17 Shtator, vetëm pak ditë pasi fëmijët e saj kishin humbur babain e tyre.

Të treja zjarrvëniet kanë ndodhur gjatë natës, Mevladia dhe djemtë e saj kanë gjetur bidonë me benzinë jashtë shtëpisë.

Kanë marrë dhe letra kërcënuese të hedhura në shtëpinë e tyre. E kanë denoncuar rastin, por asgjë nuk është zgjidhur. Kanë shkuar dhe në Prokurori. Përgjigjia e fundit që ju ka dhënë oficeri i krimeve ka qenë që përgjigjen do ua kthejnë në rrugë zyrtare dhe se herën tjetër kur të paraqiten për një përgjigje, Mevladia duhet të ketë një avokat mbrojtës me vete.

Mevladia nuk e kupton për çfarë duhet të paraqitet me një avokat mbrojtës me vete kur në fakt pala paditëse dhe e kërcënuar është ajo. Dhe nuk e kupton përse nuk ka asnjë përgjigje ndërkohë që po bëhen 11 muaj që ka nisur ky problem.

Mevladia dhe djemtë e saj janë të shqetësuar. Nuk kanë më besim tek Policia dhe tek Prokuroria. Ata nuk kanë më siguri në banesën e tyre dhe duan ta zgjidhin këtë problem, në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi të largohen dhe të ndërtojnë jetën e tyre, duke e pasur të sigurt në shtëpi nënën e tyre. /tvklan.al