Kryeministri Edi Rama ka postuar një video në rrjetet sociale duke i bërë një tur të zyrës së tij presidentit të Këshillit Europian Charles Michel. Zyrtari i lartë i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë, është mahnitur nga vizatimet në muret e zyrës dhe objektet e pazakonta. Duke iu drejtuar tryezës së punës, ai shprehet ‘xhelozinë’ për mjedisin unik.

Charles Michel: Këtu ndodh gjithçka? Jam xheloz!

Mes sendeve, Rama i tregon edhe një gjetje interesante me kokën e Abraham Lincoln, presidentit amerikan duke lexuar postimet në Twitter të Donald Trump.  Por vëmendjen e Michel, e tërheqin topat e basketbollit “pa kosh”, por kryeministri ka menduar edhe për këtë.

Charles Michel: Ja dhe topat e basketbollit. Mungon koshi.

Këtu ndodh ‘magjia’ sepse kryeministri hap një derë brenda zyrës ku shfaqet një fushë e vogël basketbolli, e pajisur me kosh dhe topa të tjerë.

Edi Rama: Ja ku i ke dhe topat e tjerë!

Charles Michel: S’ka mundësi!

Edi Rama: Do ta provosh?

Me një gjuajtje të saktë, Michel shënon një kosh që komplimentohet me një “voila” nga Rama./tvklan.al