Edhe presidenti i KE, Charles Michel, si të gjithë zyrtarët e lartë të unionit që kanë vizituar Tiranën këto 2 vitet e fundit, përsëriti se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat për anëtarësim deri në fund të presidencës franceze.

Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedat për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Që prej aplikimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, ka gjithmonë një ‘por’, që pengon hedhjen e hapit të zyrtarizimit të çeljes së negociatave. Kësaj herë është Bullgaria që mban peng Maqedoninë e Veriut dhe për pasojë dhe në. Ndaj Michel e legjitimon kërkesën e kryeministrit që kërkon një vlerësim të shkëputur nga Maqedonia, pas muajit Qershor.

“Unë shpresoj ende me gjithë zemër që do të jemi në gjendje para fundit të qershorit që ta bëjmë këtë gjë. Natyrisht nëse kjo nuk ndodh duhet ta rishohim situatën dhe pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur lidhur me këtë”, tha Michel.

“Shqipëria duhet të kërkojë të ndahet nga Maqedonia e Veriut, jo të ndahet nga Maqedonia e Veriut, por të shkëputet nga kthetrat e Bullgarisë për të qenë më të saktë”, shtoi Rama.

Në pritje të heqjes së vetos nga Bullgaria dhe ecjes drejt anëtarësimit të plotë që kërkon vite, vetë Kryeministri Rama, siç pohon Michel i ka propozuar një mekanizëm të ri që t’i afrojë vendet e Ballkanit në tryezën vendimmarrëse në nivel politik të Unionit Europian. Termi i propozuar nga Rama për këtë status të ri për këto vende, është ‘anëtar i asociuar i BE’.

“Një ide që është shumë pranë e këtij koncepti që ne dëshirojmë të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur, e anëtarëve të asociuar. Pra ky është një objektiv i përafërt që ne dëshirojmë të kemi formatet e duhura, në mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri – tjetrin”, tha Michel.

“Teknikalitetet janë një çështje tjetër, por flasim në parim, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik, që do të thotë në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat europiane, në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona, në proceset e përgatitjeve të vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, që lidhen me përballimin e krizave që na prekin bashkërisht, në mënyrë që të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë, e natyrisht brenda këtij komuniteti vendet kanë edhe detyrimet e tyre”, u shpreh Rama.

Si Rama dhe Mishel kujdesen të sqarojnë që ky proces paralel nuk synon të zvarrisë integrimin apo ta zëvendësojë atë, por ta përshpejtojë.

“Kjo i jep fund të gjitha spekulimeve, i jep fund të gjitha teorive të konspiracionit, i jep fund të gjitha paranojave se ne po na mban Bashkimi Europian aty larg se nuk do të na fusë e se kështu e se ashtu. Kështu që unë mendoj që kjo është një gjë fantastike”, tha Rama.

Michel artikuloi qartë se është në mbështetje të plotë të Ballkanit të Hapur, ndërsa Rama më shumë u përpoq të sqarojë se ndryshe nga perceptimi, edhe Gjermania është në mbështetje të kësaj nisme, çka është rikonfirmuar sipas tij në takimet e djeshme në Berlin.

“Po e them dhe frëngjisht e mbështes Ballkanin e Hapur dhe uroj që të gjithë të bashkohen me këtë nismë”, tha Michel.

Edhe pse Michel nuk është hera e parë që takohet me Kryeministrin në Kryeministri, Rama e ka gjithmon me pasion t’u tregojë miqve për aksesorët që mbushin hapësirat në zyrën e tij.

Së bashku ata vizituan dhe punimet që po behen për restaurimin e mozaikut masiv në Muzeun Historik Kombëtar me fondet e Bashkimit Europian.

Tv Klan