Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht për integrimin

VMRO-DPMNE-ja menjëherë do t`i pranojë ndryshimet kushtetuese sipas shembullit kroat, është shprehur i prerë lideri i opozitës, Hristijan Mickoski. Sipas tij, në Kushtetutën e Kroacisë në mënyrë të zgjeruar përmenden bashkësitë etnike dhe se kjo është formulë e suksesit.

“Nuk e di nëse janë të sigurtë se duan që të jetë sipas preambulës së Kushtetutës kroate. Unë jam i gatshëm nëse kjo është formulë suksesi, që nesër të nis procedura, që Maqedonia të jetën shteti i një populli dhe i pakicave në të. Që nesër le të hapim Preambulën e Kushtetutës dhe ta bëjmë sipas modelit kroat, por mos të pendohen më vonë”.

Lideri i VMRO-DPMNE-së ka komentuar edhe zhvillimet në BDI dhe si do të reflektohet në Qeveri përballja e BDI-së me të ashtuquajturin  “Grupin e Zjarrit”.

“Kjo qeveri është koalicion interesi, tenderësh dhe bizneseve dhe asgjë tjetër. Nuk dua t`i komentoj punët e brendshme të asnjë partie politike, edhe pse të gjitha partitë përmes shantazheve e presioneve përpiqen që ta cënojnë kohezionin dhe unitetin e VMRO-DPMNE-së”.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Klan Macedonia