Gjiganti teknologjik Microsoft, ka thënë se ka penguar përpjekjet për hakim nga spiunët ushtarakë rusë, të cilët kanë shënjestra ukrainase, amerikane si dhe në Bashkimin Evropian.

Përmes një postimi më 7 Prill, kompania ka thënë se një grup që e ka quajtur “Strontium”, ka qenë duke përdorur shtatë domenë në internet në kuadër të përpjekjeve për të spiunuar organizatat qeveritare dhe institutet në Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, si dhe në institucionet ukrainase, siç janë mediat.

Microsoft nuk ka bërë të ditur emrat e atyre që kanë qenë në shënjestër. Strontium është emri që përdor Microsoft për një grup, të cilin të tjerët e quajnë Fancy Bear apo APT28 – grup për hakim që është i lidhur me agjencinë ushtarake të inteligjencës në Rusi.

Ambasada ruse në Uashington nuk i është përgjigjur agjencisë së lajmeve, Reuters për të komentuar këtë gjë. Ukraina është shënjestruar nga tentimet për hakim, prej kur forcat ruse kanë nisur pushtimit e këtij shteti më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL