Ky është Claude Delley, peshkatar që punën e përditshme e ka të lidhur me liqenet e Zvicrës. Në rrjetin e tij të peshkimit janë grumbulluar midhje të vogla ngjyrë kafe. Disa midhje bien përsëri në liqen, por shumica e tyre mbeten në rrjetën e peshkimit.

“Këtu janë midhjet që kam kapur me gjashtë nga rrjetat e mia këtë mëngjes. Janë shumë pak në krahasim me ditët e tjera, sepse sot rrymat janë të forta. Por është e vërtetë që sasia që kam kapur sot nga gjashtë rrjeta, është zakonisht ajo që kap në një rrjetë.”

Peshkatarit zvicerian i duhet të ndërrojë rrjetat dy herë më shpesh për shkak se midhjet dëmtojnë mjetet e tij. “Këtë rrjetë nuk kam asnjë muaj që e kam blerë dhe tashmë është e shkatërruar.”

Ai thotë se midhjet janë kthyer në një problem serioz në punën e tij. “Kur midhjet dalin jashtë, ato automatikisht e grisin rrjetën. Kur e tërheq lart ,shkatërrohet nga fundi për shkak të midhjeve që grumbullohen. Jeta e një rrjete peshkimi si e imja zakonisht është rreth 2 muaj, por në këtë rast ato zgjasin 1 muaj.”

Që kur u zbulua për herë të parë në lumin Rhine afër Bazelit në vitin 2014, midhja  me ermin Quagga me origjinë nga Deti i Zi ka kolonizuar të paktën gjashtë liqene në Zvicër duke përfshirë liqenin e Gjenevës ku mund të gjendet deri në 250 metra nën sipërfaqe. “Ja shikoni, si ngjitet pas rrjetës. Dhe pastaj, kur i shkëput, çdo herë që ato ikin bëjnë një vrimë duke prishur rrjetën e peshkimit.”

Pavarësisht përpjekjeve, peshkatari ende nuk e ka gjetur një zgjidhje me fenomenin e kohët të fundit në liqenet e Zvicrës. “Nuk ka zgjidhje që ne ta luftojmë këtë midhje. Sapo midhja futet në rrjetë, ajo ngjitet me të dhe sa më e fortë të jetë rryma, aq më shumë rrjeta hapet  dhe midhja ngjitet më lart në rrjetë.”

Shkencëtarët parashikojnë se popullata e këtyre midhjeve është gati të shumohet deri në 20 herë në Zvicër në dy dekadat e ardhshme. Kështu ndodhi edhe në Liqenet e Mëdha të Shteteve të Bashkuara ku këto specie u përhapën shumë në vitet 1980. Lloji i  këtyre midhjeve  është tashmë i pranishëm edhe në Francë dhe Gjermani.

Stéphan Jacquet, studiues  shpjegon se si kanë mbërritur këto midhje të vogla në liqenet e Zvicrës.

“Kjo midhje është një specie ekzotike “pushtuese” e cila ka ardhur përmes rrjetit hidrografik. Midhja, e cila vjen nga Deti i Zi, Deti Kaspik dhe Deti Azov, ka përfituar nga rrjeti hidrografik, pra lumenjtë, përrenjtë dhe kanalet e krijuara nga njeriu, për të arritur ngadalë, por me siguri në ekosistemet tona. Është një midhje e vogël që mund të ngjitet në varka, por ka edhe një fazë larve që e lejon të lëvizë me rrymat. Të gjitha këto bëjnë të mundur mbërritjen në zonën tonë”.

Sipas tij midhjet Quagga kanë vite që janë të pranishme në këto ekosisteme.

 “Vlerësojmë se ka rreth dhjetë vjet që gjendet në ekosistemet tona. Kur vërejmë nën ujë, konstatojmë se ka një kolonizim, shumë domethënës, pasi këto ekosisteme tani janë plotësisht të mbuluara, nga sipërfaqja në thellësi. Kapaciteti i këtyre midhjeve për kolonizim dhe përhapje është i madh. Dhënia e shifrave të sakta momentalisht është e vështire, por në 10 vjet, ajo ka kolonizuar të gjitha ekosistemet tona, gjë që është shumë e shpejtë.”

Ndryshe nga midhjet e tjera ky lloj qëndron në sipërfaqe të forta. Speciet e ujërave të ëmbla mund të ngjiten lehtësisht me fundin e varkave apo anijeve. Zbulimi i tyre bëhet i vështirë pasi janë shumë të vogla aq sa ndonjëherë madhësia e tyre shkon në disa milimetra. Nuk dihet saktësisht se si u kolonizua çdo liqen, por larvat e midhjeve Quagga mund të përhapen në lumë ose rryma dhe gjithashtu të futen aksidentalisht në trupa të rinj ujorë. Një individ është i aftë për të prodhuar qindra mijëra larva.

Ato riprodhohen shpejt dhe janë jashtëzakonisht të vështira për t’u zhdukur pasi të vendosen në një zonë. Por përhapja e këtyre midhjeve paraqet një rrezik për speciet e tjera në ekosistem. Këto të fundit preken pasi midhjet filtrojnë sasi të mëdha fitoplanktoni, duke zvogëluar sasinë  e planktonit, i cili është një burim kryesor ushqimi për peshqit dhe jo vetëm.

Studiesit tregojnë se edhe karavidhet vendase, popullsia e të cilave po pakësohet shumë kohët e fundit është fotografuar e veshur totalisht nga kjo lloj midhje duke rrezikuar edhe zhdukjen e saj. Specia Quagga përveç vështirësive që krijon për peshkatarët, mund të dëmtojë seriozisht sistemin e furnizmit me ujë të pijshëm pasi ato bllokojnë tubacionet. Për këtë arsye autoritetet zviceriane po shqyrtojnë rregulla të reja për pastrimin e anijeve që sjellin me vete këtë lloj midhjesh dhe për të ndaluar përhapjen e tyre.

Klan News