Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka sqaruar arsyet e pezullimit të tenderit për dhënien me koncesion të Termocentralit të Vlorës. Një ditë pas vendimit të marrë, kjo Ministri thotë se më 15 Janar, 27 përfaqësues nga shoqëritë e interesuara patën mundësinë e një vizite në terren, ndërsa 23 prej tyre u është dhënë mundësia të shohin bazën e të dhënave që administrohet nga konsulenti i huaj Roland Berger.

Sipas Ministrisë, pas vizitës në terren janë bërë 48 kërkesa për sqarime të mëtejshme mbi formën e Kontratës Koncesionare për termocentralin dhe ndërtimin dhe për tubacionin e gazit që ndikon në hartimin e “Biznes Planeve” të këtyre shoqërive. Për shkak të këtyre kërkesave, sipas Ministrisë është vendosur pezullimi i procedurës.

Tashmë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk mund të bëjë asnjë vlerësim për 10 ditë deri në sqarimet e kërkuara.

Prej vitit 2011 kur u ndërtua e deri më sot TEC-i i Vlorës nuk ka punuar asnjë ditë, jo vetëm se kostot e prodhimit të energjisë me naftë janë tepër të larta, por edhe për shkak të një defekti që u shkaktua në turbinën e ftohjes, çështje për të cilën vendi ynë shkoi për vite me radhë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Vepra ka kushtuar 110 milionë euro, ndërsa gazi natyror që do të kalojë nga TAP do të bëjë furnizimin për prodhimin e energjisë.  Në garën e hapur qeveria kishte caktuar si kusht që kompania fituese të investonte 56 milionë euro për të realizuar lidhjen e TEC-it me gazsjellësin në Fier, si dhe rregullimin e turbinës së ftohjes.

Tv Klan