“Ka ardhur koha t’i dedikohem familjes”

Migjen Basha largohet nga Kombëtarja e futbollit. Mesfushori njoftoi mëngjesin e kësaj të enjteje në rrjete sociale se ka marrë vendimin që të mos jetë më pjesë e përfaqësueses kuqezi. Futbollisti i Aris sqaron në postimin e tij se tashmë është koha t’i kushtohet më shumë familjes dhe nga ana tjetër t’u krijohen hapësira të rinjve në Kombëtaren Shqiptare.

“Mendoj që ka ardhur momenti i duhur për mua që t’i dedikoj më tepër kohë familjes time. Por në të njëjtën kohë, t’i japim mundësinë dhe lojtarëve më të rinj të kenë më tepër hapësira në ekipin kombëtar. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar, shokët e miqtë e mi gjatë këtyre viteve. Falenderoj stafin teknik të ekipit kombëtar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për mundësinë”.

Vetëm 3 ditë më parë, Migjen Basha u bë baba për herë të dytë.

Migjen Basha u bë pjesë e Kombëtares në vitin 2013. Ndeshja e tij e parë ishte ajo e 22 Marsit kundër Norvegjisë, takim që kuqezinjtë e fituan me golin e Hamdi Salihit.

Basha numëron 29 ndeshje me Kombëtaren Shqiptare, ku ka shënuar 3 gola. 32-vjeçari luan me Arisin e Selanikut, pas një eksperience të gjatë në Itali në kampionatin e Serie A dhe B.

Tv Klan