Ekspertët amerikanë: Kriminelët kërkojnë shpërblime nga 45 mijë dollarë në 5 milionë dollarë

Ekspertë të sigurisë në Shtetet e Bashkuara konfirmuan se një sulm kibernetik ka prekur mijëra vetë në së paku 17 vende të botës. Përgjegjësia sipas tyre bie mbi bandat ruse ndërsa thanë se kriminelët kanë kërkuar shpërblime në vlerë prej 45,000 deri në 5 milionë dollarë.

Fred Voccola, shef i Kaseya-s, kompani me seli në SHBA, softueri i së cilës u prish tha se shumica janë biznese, si objekte dentare, firma të arkitekturës, qendra të kirurgjisë dhe biblioteka, shkollat, agjencitë e vogla qeveritare, të udhëtimit dhe të kontabilitetit janë gjithashtu të prekura nga ky sulm si në Gjermani, në Suedi etj.

Voccola në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Associated Press” nuk pranoi të japë detaje për sulmin, por tha se “niveli i sofistikimit ishte i jashtëzakonshëm”.

Ekspertët e sigurisë kibernetike në SHBA thanë se banda “Revil” – një sindikatë e madhe rusishtfolëse – dyshohet se qëndron prapa sulmit.

Sipas tyre, nuk është rastësi që e gjitha nisi në fundjavën kur SHBA-ja shënoi përvjetorin e pavarësisë. FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës në SHBA janë duke bërë hetime ndërsa u kanë kërkuar kompanive që t’i raportojnë problemet.

Muajin e kaluar, gjatë një takimi në Gjenevë, Presidenti Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për bandat e sulmeve kibernetike, që dyshohet se veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi.

Biden ka paralajmëruar Putin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, nëse hetimet përcaktojnë se qeveria ruse qëndron pas ndonjë sulmi.

Klan News