“Lufta jonë ishte e drejtë, ata janë të pafajshëm”

Mijëra njerëz mbushën rrugët e Prishtinës këtë të dielë në mbështetje të krerëve të UÇK-së që të hënën nisin përballjen e tyre me Gjykatën Speciale të Hagës.

Marshimi nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe përfundoi në atë “Skënderbeu”. Në duar dallonin pankarat, “Liria ka emër”, “Historia jonë nuk mund të rishkruhet” dhe “Marshojmë për drejtësi”.

Qytetarët thonë se kanë dalë në rrugë duke besuar në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi tha se lufta e Kosovës ishte një luftë për lirinë ndërsa serbët që kryen krime mbi shqiptarët i janë fshehur drejtësisë.

“Ne ishim të rreshtuar në anën e lirisë, drejtësisë dhe shpresës. Prandaj, po! Ne kërkojmë drejtësi, sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë, mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë kurrë para drejtësisë”.

Në marshim ishin të pranishëm edhe familjarë të krerëve të UÇK-së që mbahen në Hagë ku djali i ish-Presidentit Thaçi u duk mjaft i emocionuar.

Të hënën pritet të nisë procesi në Hagë ku Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm dhe i kanë mohuar akuzat.

Tv Klan