Policia e Moskës ndaloi mbi njëmijë protestues të Mërkurën në mbrëmje gjatë marshimeve që u organizuan për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistit opozitar Alexei Navalny, i cili ndodhet i burgosur dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Zëdhënësi i Navalny u burgos për dhjetë ditë së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë, në të njëjtën ditë kur presidenti Vladimir Putin mbajti fjalimin për gjendjen e kombit dhe paralajmëroi Perëndimin të mos shkelë vijat e kuqe të Rusisë, ndërsa nuk e përmendi fare Navalny-n.

OVD-Info, një grup që monitoron protestat dhe ndalimet e policisë, tha se 1,004 vetë u arrestuan, duke përfshirë 351 në Shën Pjetërburg dhe 87 në qytetin Ufa.

Në qendër të Moskës protestuesit u mblodhën jashtë selisë së Dumës duke bërtitur “Liri për Navalny-in!”. Bashkëshortja e opozitarit, Yulia, ishte gjithashtu pjesë e protestave.

Opozita shpresonte se kjo do të ishte protesta më e madhe në historinë moderne të Rusisë, dhe e prezantoi marshimin si një përpjekje për të shpëtuar jetën e Navalny-it.

Por presioni i policisë bëri që protesta të jetë më e vogël se ajo e fillim vitit kur Navalny u dënua me 2.5 vjet burg.

Përplasjet për Navalny midis Moskës dhe Perëndimit janë thelluar, ndërsa lidhjet ekonomike e diplomatike kanë arritur nivelin më të ulët, duke sjellë përjashtimin e diplomatëve apo dislokimin e trupave dhe armatimit në kufirin e Ukrainës.

Ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së bënë thirrje që Navalny të mjekohet jashtë vendit.

Klan News