Imunizimi me AstraZeneca, mundësi për të lëvizur të lirë në BE

Në Maqedoninë e Veriut, gjatë fundjavës së vazhduar, në punktin e vaksinimit në Shkup dhe Qendrat Rajonale të vendit, nuk do të zhvillohet imunizimi masiv i popullsisë. Autoritetet e shëndetësisë paralajmërojnë se procesi do të vazhdojë të hënën. Deri dje janë evidentuar 274.710 qytetarë të vaksinuar.

Ndërkohë, mijëra qytetarë të RMV-së, sot dhe nesër rivaksinohen në Serbinë fqinje. Pjesa më e madhe e tyre, në fund të Marsit kishin marrë dozën e parë të vaksinës dhe kanë termine për t`u rivaksinuar me “AstraZeneca”.

Bëhet fjalë për persona më të rinj se 60 vjeç, të cilët nuk kanë mundësi të rivaksinohen në vendin tonë me “AstraZeneca”.

Edhe pse në fillim të Qershorit, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi se kolegët nga Serbia do të hapin punktet të veçanta vaksinimi afër kufirit për rivaksinimin e shtetasve të RMV-së, autoritetet shëndetësore të Serbisë dje kanë njoftuar se qytetarët do të duhet të rivaksinohen në vendin e njëjtë ku kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Nga mëngjesi në vendkalimin kufitar drejt Serbisë janë vërejtur kolona automjetesh që janë drejtuar për qytetin e Nishit për t`u rivaksinuar. Përmes një bashkëpunimi midis Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, dozën e dytë sot e kanë marrë edhe biznesmenët nga Maqedonia e Veriut që para do kohe ishin vaksinuar në Serbi.

Shkaku që shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut drejtohen për në Serbi, përmenden sasitë e vogla të vaksinave si dhe vaksinimi sipas moshës që zbatohet në Shkup, ku tashmë shumë të rinj që duan të udhëtojnë për pushime, ia mësyjnë Serbisë që të pajisen me certifikata vaksinimi.

Klan Macedonia