Policia ruse ka ndaluar më shumë se 2 mijë persona të cilët dolën këtë të shtunë për të protestuar kundër arrestimit të liderit të opozitës, Alexei Navalny.

Sipas asaj që shkruan BBC, me qindra mijëra persona sfiduan prezencën e madhe të forcave të policisë, duke u bashkuar në një prej demonstratave më të mëdha kundër presidentit Vladimir Putin, gjatë viteve të fundit.

Në Moskë pati skena të shumta dhune. Policia ndërhyri duke goditur e tërhequr zvarrë protestuesit.

Ishte vetë Navalny, një prej kritikëve më të mëdhenj të Putin, i cili bëri thirrje për protesta pas arrestimit të dielën e shkuar. Ai u ndalua në një aeroport të Moskës, sapo kishte zbritur nga Berlini, ku qëndroi në rikuperim për 5 muaj pas helmimit që iu bë në Rusi, Gushtin e shkuar.

Menjëherë sapo u kthye ai u arrestua dhe u shpall fajtor për shkelje të lirisë me kusht. Navaly thotë se e gjithë kjo çështje është e fabrikuar, si kërcënim që ai të heshtë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se deri më tani janë të paktën 2 500 protestues të ndaluar, 900 prej tyre vetëm në Moskë. Kremlini zyrtar nuk ka pasur ende një reagim për zhvillimet e ditës së sotme.

Reuters përllogarit se të paktën 40 000 persona dolën në Moskën qendrore këtë të shtunë në demonstratë, më e madhja në kryeqytet që prej 2019-s.

Në mesin e të ndaluarve ishte edhe bashkëshortja e Navalny, Yulia, e cila postoi një imazh në Instagram ku shkruajti: “Ndjesë për cilësinë e keqe. Drita shumë të dobëta në furgonin e policisë”./tvklan.al