Papa: Të reagojmë të gjithë për katastrofën

Flakët që po përpijnë pyjet e Amazonës kanë shqetësuar edhe Papa Françeskun. Në fjalimin e të dielës para besimtarëve në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit, kreu i Kishës Katolike u bëri thirrje 1.3 miliardë besimtarëve që të luten për shuarjen e flakëve, në atë që e konsideroi si “mushkëria e jetës” së planetit tonë.

“Lutemi, që me impenjimin e të gjithëve, të shuhen sa më shpejtë zjarret në Amazonë. Ajo mushkëri pyjore është jetike për planetin tonë”.

Ati i Shenjtë e ka ngritur edhe gjatë viteve të kaluara, shqetësimin për shpyllëzimin me ritme të shpejta të Amazonës, që sipas tij ka rënë viktimë e interesave ekonomike dritëshkurtra.

Edhe pse autoritetet braziliane angazhuan mbi 43 mijë ushtarë për shuarjen e flakëve, numri i vatrave nuk po pakësohet.1663 vatra të reja zjarri janë njoftuar mes të enjtes dhe të premtes në pyjet e Amazonës. Kjo shifër i shtohet numrit rekord të vatrave zjarreve që u regjistruan këtë vit, mbi 78 mijë.

Në një foto të kapur nga hapësira dallohet qartë shtrirja e vatrave të zjarrin në pyjet e Amazonës, jo vetëm në Brazil, por edhe vendet fqinje latino-amerikane.

Tv Klan