Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo ka nisur nga Praga turneun njëjavor në Evropën Qendrore përballë konkurrencës ekonomike dhe gjeopolitike ruse dhe kineze në ish-bllokun komunist.

Deri më 15 Gusht shkon përveç Pragës edhe në Lubjanë, Vienë dhe Varshavë. Udhëtimi vjen ndërsa Pentagoni bëhet gati të zbatojë planin për tërheqjen e pothuajse 12 mijë trupave nga Gjermania dhe të vendosë një pjesë të trupave amerikane në Poloni dhe vende të tjera të NATO-s.

Pompeo do të diskutojë me homologët e tij për Marrëveshjen për Përmirësimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes. Kjo marrëveshje mbrojtjeje, i jep mundësinë Shteteve të Bashkuara për “një prani me rotacion” të 1 mijë trupave për “të forcuar aftësinë frenuese kundër Rusisë, forcuar NATO-n”, dhe për të siguruar aleatët.

Rreth 4,500 forca amerikane janë aktualisht në Poloni për shërbimin e radhës. Edhe siguria energjitike si dhe ndalimi i kompanisë Hauëei për shtrimin e rrjetit 5 G është në krye të temave të diskutimit të zotit Pompeo me udhëheqës të Evropës Qendrore.

Këto tema diskutohen edhe tani që naftësjellësi i debatueshëm rus “Nord Stream 2” që lidh Rusinë me Gjermaninë, pothuajse ka përfunduar. Rusia e ka mbrojtur projektin e vet si të leverdisshëm ekonomikisht.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar lidhur me rreziqet e sigurisë nga naftësjellësit rusë, veçanërisht “Nord Stream 2”. Zyrtarët amerikanë thanë se nëse kompletohen këto projekte do të minojnë sigurinë evropiane dhe fuqizojnë aftësinë e Rusisë për të përdorur burimet energjisë për të ushtruar presion ndaj partnerëve dhe aleatëve evropianë të Shteteve të Bashkuara.

Klan Plus