Pioli: Ishte një provë pjekurie, treguam karakter

Milan arriti të fitojë me përmbysje 3 – 2 takimin me Verona, duke marrë përkohësisht kreun e renditjes në pritje të takimit Napoli – Torino që do të luhet sot.

Pas golave të pësuar në pjesën e parë reagimi erdhi në të dytën. Giroud me kokë, penalltia e Kessie dhe autogoli i Gunter kthyen situatën në sfidën e luajtur dje në San Siro. Për trajneri Stefano Pioli ishte një provë pjekurie.

“Në pjesën e parë Verona ishte më e përqendruar se ne dhe ishim pak të pafat te goli i parë. Por besuam. Ishte një provë pjekurie e lojtarëve dhe jam krenar për karakterin e kësaj skuadre”, tha Pioli.

Pas 8 ndeshjesh Milan ka 7 fitore dhe 1 barazim duke grumbulluar 22 pikë. Së bashku me Napoli janë të vetmit ekipe pa humbje në këtë sezon të Serie A.

Tv Klan