BE diskuton recetat për të mos lejuar kolapsin e ekonomisë europiane

Në një kohë që pandemia e koronës ka bërë që shumë sipërmarrjeve t’u shterojnë rezervat e të bjerë në koma ekonomia europiane, ministrat e Financave të BE përmes një video-konference diskutuan recetat për daljen nga kjo krizë. Krerët e shteteve dhe qeverive nuk mund të binin në ujdi para 10 ditësh për borxhe të përbashkëta ose koronabondet ndaj e kaluan këtë detyrë tek ministrat e Financave.

Koronabondet, borxhet e përbashkëta të eurozonës u mbështeten vetëm nga nëntë vende europiane mes të cilëve Franca, Italia e Spanja. Ato nuk pranohen nga vendet nordike të BE-së si dhe nga Gjermania, Holanda apo Finlanda. Komisioneri evropian për ekonominë, Paolo Gentiloni, tha se tani nuk është koha për grindje, pasi kemi të bëjmë me një krizë të pashembullt. Po ashtu Italia dhe Spanja refuzojnë modelin e propozuar nga Gjermania të Mekanizmit të Shpëtimit të Euros, të njohur si mburoja e shpëtimit.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nuk është shprehur ende për borxhe të përbashkëta te quajtura ndryshe si koronabondet. Ajo preferon një Plan Marshall për rimëkëmbjen e ekonomisë në BE, për të cilin edhe është rënë dakord. Ai parashikon një financim prej 120-130 miliardë euro.

Nga instrumenti financiar i krizës së euros, do te vihen në dispozicion 240 miliardë euro kredi paraprake për shtetet e BE që kërcënohen nga norma të larta interesi në tregjet financiare. Banka Europiane e Investimeve do të japë edhe 200 miliardë euro, një rezerve tek e cila mund të marrin para shtetet në nevojë. Komisioni Europian ka krijuar një fond tjetër prej 100 miliardë eurosh, për të mbështetur sigurimet e papunësisë në shtetet anëtare.

Ndërkaq Italia ka miratuar një paketë prej 750 miliardë euro për përballimin e krizës duke pezulluar për dy muajt në vijim pagesat e ndryshme të taksave dhe të sigurimeve shoqërore duke hequr dorë nga mbledhja e 10 miliardë eurove.

Nga fondi i ri jepen garanci për bankat, institucionet financiare kombëtare dhe ndërkombëtare deri në 200 miliardë €, nga të cilat të paktën 30 miliardë € do të mbështesin me kredi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Klan Plus