Një kafe, një darkë ose një film në kinema. Zakonisht takimi i parë mes çifteve është shumë formal. Por një miliarder japonez duket se do të zhvillojë takimin e parë që do të hyjë në histori.

Yusaku Maezawa është duke kërkuar për një të dashur që t’i bashkohet në udhëtimin që do të zhvillojë përreth Hënës me SpaceX. 44-vjeçari po kërkon femra beqare mbi moshën 20-vjeçare.

“Dua të gjej një ‘partnere jete’. Me këtë partnere dua që në orbitë të shpreh dashurinë dhe paqen në botë”, është shprehur ai.

Maezawa do të fluturojë rreth Hënës në vitin 2023 dhe do të jetë pasagjeri i parë privat i SpaceX-it të Elon Musk. Së fundmi, ai është ndarë nga aktorja 27-vjeçare Ayame Goriki dhe gjetja e partneres së re do të transmetohet në televizor përmes një serie dokumentarësh.

Gjatë hapjes së aplikimeve thuhej se kandidatet duhet të jenë të interesuara për të shkuar në hapësirë dhe të duan paqen në botë. Aplikimet mbyllen më 17 Janar dhe miliarderi do ta zgjedhë partneren në fund të Marsit. /tvklan.al