Ivan Savidhi, miliarderi rus që jeton në Greqi, është njëri prej nxitësve kryesorë të trazirave që synojnë zhbërjen e marrëveshjes për emrin e ri të Maqedonisë, për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO.

Mediat maqedonase citojnë një raport të ministrisë së Brendshme në Shkup, ku emri i 59-vjeçarit figuron në të paktën një rast si financues i protestave të dhunshme kundër marrëveshjes Shkup – Athinë. Autoritetet maqedonase kanë zbuluar se Savidhis i ka kaluar 300 mijë euro përmes një transaksioni bankar, disa maqedonasve pjesëmarrës në protestën e dhunshme të 18 Qershorit të opozitës në Shkup, një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës. Maqedonasit që morën paratë janë pjesë e grupit të huliganëve të futbollit “Komitët” mbështetës të partisë së ish-kryeministrit Gruevski që kundërshton marrëveshjen.

Vetë Savidhi mohoi kategorikisht akuzat në një deklaratë për shtypin grek. Por ai shquhet për përfshirjen në akte dhune. Rasti më i fundit është ai i marsit kur  u shfaq me pistoletë në stadiumin e Selanikut, kur arbitri i mohoi një gol ekipit të drejtuar prej tij PAOK në ndeshjen me AEK-un e Athinës. Ish-deputet i parlamentit rus me partinë e Putinit, Savidhis ka një pasuri prej 2 miliardë dollarësh dhe renditet ndër më të pasurit në botë nga revista Forbes.

Tv Klan