Milingonat mund të zbulojnë kancerin nëpërmjet urinës.

Lloje të  ndryshme të kancerit mund të ndryshojnë erën e urinës por ekspertët kanë zbuluar se milingonat zotërojnë aftësinë për ta dalluar.

Milingonat mund të përdoren si detektorë biologjikë për të ndarë individët e shëndetshëm nga ata me tumor. Ato janë të lehta për t’u trajnuar, mësojnë shpejt, janë të sakta dhe nuk kushtojnë për t’u mbajtur”,  tha autorja e studimit,  Patrizia d’Ettorre e Universitetit Sorbonne Paris Nord.

Në këtë studim, 70 milingona të llojit Formica fusca u vendosën përpara kampionëve të urinës së minjve me dhe pa tumor. Pas tre provash, milingonat mund të dallonin erën e urinës së miut të shëndetshëm nga ai i sëmurë.

Sipas kërkuesve, kjo është e mundur falë sistemit të ndjeshëm të nuhatjes që kanë milingonat. Saktësia dhe besueshmëria e rezultateve i habiti studiuesit.

Në fazat e tjera, ata duan të shohin nëse milingonat do mund të bëjnë të njëjtën gjë me urinën e njeriut. Kërkime të mëparshme kanë treguar se qentë e trajnuar mund  ta dallojnë kancerin në urinë. Gjithashtu ka pajisje të ndryshme elektrike që mund të zbulojnë lloje të ndryshme kanceri, të prostatës, fshikëzës së urinës apo gjirit nëpërmjet kampionëve të urinës./tvklan.al