Sistemi i ri operativ Windows 11 do të jetë së shpejti i disponueshëm për t’u shkarkuar në kompjuterat tuaj, por nëse keni plane për të ndryshuar kompjuterin sigurohuni që parametrat e tij i përshtaten kërkesave minimale të përditësimit.

Në të kundërt brenda vitit 2025 Microsoft do e nxjerrë kompjuterin tuaj me Windows 10 jashtë shërbimit dhe do ju duhet të blini një të ri ose të ndryshoni parametrat e tij.

Për këtë sistem të ri të Windows punohet prej më shumë se 6 vitesh nga Microsoft dhe për të arritur maksimumin ky përditësim do të kërkojë parametra specifike.

Fillimisht Microsoft njoftoi të gjithë përdoruesit e Windows që të kontrollonin online përmes “Health Check” nëse kompjuteri i tyre i përmbushte kërkesat për versionin 11, por shumë përdorues hasën në probleme për mungesë informacionesh.

Të hënën kompania postoi një adresë ku do të marrin çdo ankesë për versionin e ri online përpara se versioni i Windows 11 të jetë i disponueshëm në Vjeshtën e këtij viti.

Minimalisht ju duhet një kompjuter me RAM të paktën 4GB, 64GB memorie dhe një ekran me rezolucion më të lartë se 720p dhe minimalisht 9 inch dhe një procesor 1GHz ose më i shpejtë me 2 ose më shumë core i përshtatshëm për sistemin 64-bit.
Nëse keni ende Windows 7 ju mund ta përditësoni falas në Windows 10 tani që versioni 7 nuk njihet më nga Microsoft për shërbime dhe përditësime të reja.

Këto kërkesa nuk kanë qenë specifike në versionet e kaluara, por ndryshimet në sistemin e sigurisë dhe pamjen e rifreskuar të “desktop” kërkojnë këto parametra. /tvklan.al