USPS paralajmëron vonesa në numërim

Vota me postë ka përplasur demokratët me Presidentin Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se ai do të ishte pro planit për të mbështur me mbi 3 miliardë dollarë shërbimin postar për të menaxhuar votën me postë, e cila, në kohën e pandemisë pritet të jetë masive.

Por ai vuri si kusht që demokratët në Senat të mbështesnin axhendën e tij për krizën e shkaktuar nga pandemia. Ish-Presidenti Barack Obama tha se Trump po përpiqet të godasë shërbimin postar, në përpjekje për të dekurajuar votimin me postë.

Në mes të debateve, Shërbimi Postar amerikan paralajmeroi se nuk mund të garantojë që votat e dërguara me postë do të arrijnë të numërohen.

Në një letër dërguar 46 shteteve, Shërbimi Postar thotë se ekziston një rrezik i konsiderueshëm se votuesit nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për të plotësuar fletët e votimit dhe për t’i dërguar në kohën e duhur.

Posta rekomandon që fletët e votimit të postohen brenda 27 Tetorit, një javë para ditës së zgjedhjeve. Vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, ato do të arrijnë të numërohen në kohë.

Në Pensilvani, disa zyrtarë i kërkuan Gjykatës së Lartë të lejojë numërimin e fletëve të votimit deri në 3 ditë pas ditës së zgjedhjeve. Por presidenti Trump është shprehur kundër.

Ai ka deklaruar disa herë se me anë të fletëve të votimit që nisën me postë, zgjedhjet mund të manipulohen, nëpërmjet falsifikimit të tyre nga Kina e Rusia. Kjo, është shprehur ai, do të jetë katastrofa më e madhe në histori.

Tv Klan