Instagrami është një nga rrjetet sociale më të përdorur, dhe për pasojë shumë persona përfitojnë të ardhura përmes tij. Studime të ndryshme kanë filluar ta konsiderojnë si punë, madje ndër më të paguarat. Instagram Rich List 2019, ka publikuar personat më të paguar të rrjetit të njohur social. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Kylie Jenner kryeson listën. Më pas vijnë Ariana Grande, Dwayne The Rock Johnson, Kim Kardashian, Selena Gomez, Beyonce dhe Chrisitano Ronaldo.

Listimi është bërë bazuar në të dhënat sesa kërkojnë të paguhen këta persona për një postim të vetëm dhe në numrin e ndjekësve që ata kanë. Bilioneria 21 vjeçare dhe ylli i reality-TV, Kylie Jenner, për të dytin vit kryeson, madje të ardhurat e saj janë shtuar ndjeshëm. Për një postim në Instagram mesatarisht mund të fitojë deri në 1.26 milionë Dollarë. Ariana Grande përfiton 996 mijë Dollarë, ndërsa Cristiano Ronaldo merr 975 mijë Dollarë.

Përmes rrjeteve sociale janë bërë të famshëm edhe persona të thjeshtë dhe aspak të njohur, madje edhe fëmijë. I tillë është rasti i një 6 vjeçareje në Korenë e Jugut, e cila përmes Youtube ka arritur të fitojë shuma marramendëse me videot që poston. Falë klikimeve ajo ka arritur të blejë një shtëpi 8 mln Dollarë, gjë që ka lënë të habitur shumë njerëz./Klan Plus