Kjo është Violeta Donaj, 36-vjeçarja e cila mëngjesin e së dielës vrau me pistoletë bashkëshortin e saj Kujtim Donaj në tregun e Milotit. Në këto pamje shihet e reja teksa është ndaluar nga policia pak momente pas krimit.

Ajo duket e shokuar pas ngjarjes, ndërsa ka shpërthyer në lot.

Pas një grindjeje Violeta Donaj, shkrehu 4 herë armën ndaj të shoqit në këtë tezgë të tregut duke e lënë të vdekur në vend.

Në këtë treg çifti shiste çdo fundjavë rroba të përdorura për të ushqyer familjen.  Nga hetimet e para sipas burimeve të policisë, mësohet se grindjet në çift kanë shoqëruar bashkëjetesën e tyre. Sipas policisë shkak i konfliktit dyshohet se është bërë konsumimi i alkoolit dhe frekuentimi i lojërave të fatit nga Kujtim Donaj.

Dëshmitarët thanë se bashkëshorti kishte kërkuar nga 36-vjeçarja, 10 mijë lekë të vjetra, të cilat ishin mbledhur nga shitja në treg. Këtu nisi edhe konflikti mes tyre, çka bëri që gruaja të shkrehë armën ndaj babait të dy fëmijëve.

Hetuesit po verifikojnë nëse çifti ka pasur rekorde apo denoncime ndaj njëri-tjetrit në polici më parë.

36 –vjeçarja para ka pranuar autorësinë e krimit dhe është dërguar në komisariatin e Laçit ku edhe është marrë në pyetje nga oficerët e krimeve.

Tv Klan