Mimi Kodheli, deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, e cila garon në këto zgjedhje në listat e hapura, ishte e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan për një bisedë ndryshe, jashtë politikës.

Arti është një nga pasionet e saj që e ka ndjekur edhe në jetë. Mimi Kodheli është e martuar me arkitektin Leka Kodheli, djali i piktorit të njohur shqiptar Kel Kodheli. Me nostalgji, ajo kujton momentin e parë kur shkeli në shtëpinë e familjes, e cila ‘ishte veshur’ nga peneli i piktorit.

Mimi Kodheli: Kur kam hyrë në fillim në shtëpinë e tyre, ata kishin një sallon, në përgjithësi shtëpitë tona ishin modeste në ato vite, nuk janë shtëpitë e sotme. Nuk kishte mure, kishte vetëm piktura që bashkoheshin te njëra-tjetra, çdo gjë ishte art.

Rudina Magjistari: Muri si një pazëll me piktura.

Mimi Kodheli: Si një galeri e mirëfilltë, madje galeria ka një mur dhe ka një spot, aty çdo gjë ishte pikturë. Vjehrra ime pikturonte gjithashtu, i binte violinës, im shoq është një arkitekt atipik sepse një person që bën portret, jo të gjithë arkitektët bëjnë, atje gjtihçka ishte art dhe fliste art dhe flitej vetëm për artin. Edhe pse kishin kaluar ditët të vështira, edhe pse në disa momente familja kishte kaluar patjetër periudha të vështira, vjehrra ime s’kishte punuar kurrë, mbaheshin vetëm me pikturat që Kel Kodheli i shiste shtetit sepse në atë kohë funksiononte kështu, djemtë ishin në shkollë.

Deputetja tregon edhe sesi vjehrra e saj përpiqej të kursente çdo pikë boje vaji dhe pavarësisht gjithçkaje, janë realizuar kryevepra. Edhe në shtëpinë e saj gjenden piktura të shumta të tij, por më  interesante është një histori që ajo ndan për artistin e madh.

Mimi Kodheli: Ai ishte mëngjarash. Në moshën 74-75 vjeçare pësoi një hemorragji cerebrale që i paralizon gjithë anën e majtë të trupit. Pikërisht në këtë moshë fillon të pikturojë me të djathtën dhe ka  pikturuar me të djathtën për 10 vjet të tjera.

Rudina Magjistari: Ndihet ndryshimi?

Mimi Kodheli: Djemtë e kuptojnë që ia njohin babës çdo penelatë. Një sy i pastërvitur nuk e kupton./tvklan.al