Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në aksin rrugor Gramsh-Kushovë. Një minibuz i linjës i mbushur me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë. Burime nga policia bëjnë me dije se si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një person dhe janë plagosur 10 të tjerë.

Viktima është 30-vjeçari Ledian Lami, nga fshati Terrovë i Skraparit, i cili po udhëtonte si pasagjer në minibus. Të plagosur nga ngjarja kanë mbetur 10 persona të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën për momentin. Ata janë moshës 17 deri në 74 vjeç dhe u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për trajtim mjekësor më të specializuar. Në mesin e të plagosurve është edhe vëllai i viktimës, 25-vjeçari Kristian Lami.

Pamje nga aksidenti

Nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë, por mendohet se shoferi ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është rrokullisur disa herë deri sa ka rënë në greminë. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga TvKlan.al minibusi ka rënë nga një lartësi e madhe, rreth 80 metra lartësi.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, zjarrfikësit dhe ambulanca, të cilët kanë ndihmuar në transportimin e të lënduarve drejt spitalit të Gramshit. Policia po vijon hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:15 dhe mjeti drejtohej nga 47-vjeçari Ariol Xhepexhiu banues në Gramsh, i cili mbeti po ashtu i plagosur rëndë.

Emrat | Kush janë 10 të plagosurit në aksidentin e rëndë në Gramsh

Tvklan.al zbardh emrat e personave të cilët mbetën të plagosur në aksidentin e rëndë të ndodhur mesditën e kësaj të shtune në aksin Gramsh-Kushovë.

1-Joana Çuedari 17 vjeçe

2-Buqe Gaxholli 60 vjeçe

3-Nafie Rrodhe 61 vjeçe

4-Enxhi Selimi 25 vjeçe

5-Kristian Lami 25 vjeç

6-Ariol Xhepexhiu 47 vjeç (shoferi)

7-Ervehe Pasho 54 vjeçe

8-Gurim Pasho 55 vjeç

9-Orinda Bollobani 29 vjeçe

10-Selman Rrodhe 74 vjeç

Tvklan.al mëson se 4 prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Të gjithë të lënduarit janë nisur për ndihmë më të specializuar mjekësore drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

“4 nga ata janë të rrezikuar, janë rëndë, duke futur këtu edhe shoferin. Sepse shoferin e kam parë vetë, që duke bërë ekzaminimet tek grafia kishte një traumë, mendoj që mund të kishte ndonjë hemorragji të brendshme. Të gjithë personat i kemi transportuar duke dhënë ndihmën mjekësore këtu dhe duke na u ofruar ndihma e menjëhershme nga urgjenca kombëtare. Helikopteri erdhi për një rast të rëndë, nga këta. Një nga këta ishte e nevojshme për helikopter”, thotë për tvklan.al, doktoresha Zamira Bezati nga spitali i Gramshit.

Të gjithë këta persona udhëtonin me minibusin që drejtohej nga 47-vjeçari Ariol Xhepexhiu, që doli nga rruga në rrethana ende të paqarta dhe ra në greminë.

Nga ngjarja e rëndë humbi jetën 30-vjeçari Ledian Lami, nga fshati Terrovë i Skraparit. Ndërsa nga ngjarja mbeti i plagosur vëllai i tij, Kristian Lami 25 vjeç.

Video | Raportimi nga vendngjarja: Si ndodhi aksidenti me 1 të vdekur dhe 10 plagosur

Furgoni i linjës Gramsh-Kërpiçë, me targa AA 357 FY, i cili mesditën e kësaj të shtune përfundoi në një greminë ra në një lartësi prej të paktën 80 metrash. Gazetari i tvklan.al, Spartak Koka, nga vendi i ngjarjes tregon se 10 personat të cilët mbetën të plagosur kanë qenë me fat që kanë shpëtuar, duke marrë parasysh terrenin ku kanë rënë. Gazetari tregon se të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes ishin banorët e zonës që u dhanë ndihmë të plagosurve.

“Ky është furgoni i linjës Gramsh-Kërpiçë i cili ditën e sotme ka rënë në humnerë teksa udhëtonte në drejtim të fshatit. 10 të plagosur dhe 1 i vdekur është bilanci paraprak i këtij aksidenti. Siç e shikoni në furgon kanë mbetur tashmë të gjitha  sendet apo rrobat e personave të cilët udhëtonin me këtë automjet, ndërkohë në vendngjarje ka dhe shiringa apo mjete të tjera mjekësore të cilat janë përdorur për t’u dhënë ndihmën e parë, personave të plagosur. Paraprakisht në vendngjarje kanë mbërritur banorët e zonës përreth të cilët kanë bërë gjithçka është e mundur për të shpëtuar personat që ndodheshin brenda këtij furgoni. Është një ndihmë e vlefshme që u është dhënë atyre. Nga lartësia ku ka rënë, që përllogaritet 80 apo 90 metra distancë, është fat që 9 personat e tjerë kanë shpëtuar”.

Ndërkohë, siç mund të shihet edhe nga pamjet, fat për këta pasagjerë ka qenë edhe fakti që mjeti me të cilin udhëtonin ka ndalur në një pemë, pasi siç tregon edhe gazetari Koka, furgoni mund të shkonte edhe më poshtë.

“Po të shikoni ka dhe mbetje të tjera në furgon që kanë mbetur, ka dhe pambuk të gjakosur që është tentuar t’i jepet ndihma e parë personave të plagosur. Ndërkohë nga ana tjetër, theksojmë faktin se ky furgon, i cili është dhe burim rreziku, ka mbetur në këtë pikë, ku është dhe një pemë, sepse mund të shkonte edhe më poshtë”.

Fatkeqësisht nga kjo ngjarje nuk mundi të mbijetonte 30-vjeçari Ledian Lami nga fshati Terrovë i Skraparit. Ndërsa personat që mbetën të plagosur, të moshës 17 deri në 61 vjeç u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore. Drejtuesi i mjetit, Ariol Xhepexhiu, për arsye ende të pashpjegueshme ka humbur kontrollin duke rënë në humnerë. Grupi hetimor dhe ekspertët autoteknikë po punojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

“Grisëm perdet e minibusit për të nxjerrë nga humnera të plagosurit”, flasin infermierët e spitalit të Gramshit

Bardha Bengu dhe Ylli Zela ishin dy prej infermierëve të parë që i shkuan në ndihmë të plagosurve, nga rrëzimi i minibusit në greminë aksin në aksin rrugor Gramsh-Kushovë.

Për gazetarin e tvklan.al Spartak Koka, ata tregojnë se terreni ishte mjaft i vështirë dhe për të nxjerrë nga gremina të plagosurit përdorën mjete rrethanore, deri tek perdet e minibusit.

“Menjëherë sapo morëm njoftimin, ne direkt bëmë organizimin e punës dhe filluam dhe nisëm ambulancat bashkë me stafin që ishin këtu në moment. Duke njoftuar njëri-tjetrin vazhduam, vajtëm në vendngjarje, shikojmë njerëzit të përhapur në rrëkerat e rripave, fillimisht pamë të dëmtuarit kush ishte më rëndë, dhamë ndihmën e parë atje në vendin e ngjarjes. Pastaj me mjete rrethanore, çfarë mund të kishim atje, bluza, batanije që mund të na sillnin, edhe perdet e autobusit kemi grisur dhe i kemi lidhur që i kemi transportuar dhe i kemi nxjerrë nga ajo humnerë, që i çuam lart nga ajo greminë sepse barela nuk na bënte punë, sepse ishte shumë e vështirë. E kishim barrelën, po nuk bënte punë për shkak të terrenit të vështirë me shkurre dhe terren i thepisur”.

Infermierët tregojnë më tej se transportimin e të plagosurve e bënë me ndihmën e banorëve të zonës, duke i nxjerrë në rrugën kryesore ku i priste ambulanca.

Nga aksidenti i kësaj të shtune humbi jetën 30-vjeçari Ledian Lami, ndërsa të plagosur mbetën 10 persona të tjerë, mes tyre vëllai 25 vjeçar i viktimës, ashtu sikurse edhe shoferi i automjetit. Të gjithë të lënduarit janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa 4 prej tyre mësohet se janë në gjendje më të rëndë.

Policia jep informacion zyrtar: 1 pasagjer i vdekur dhe 10 të plagosur pasi aksidentohet minibusi

Më datë 10.07.2021, rreth orës 14:15, në aksin rrugor Gramsh-Kushovë, në fshatin Bregas, mjeti minibus  me drejtues Ariol Xhepexhiu,  banues në Gramsh, ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë një pasagjer, Ledian Lami, rreth 30 vjeç, banues në fshatin Terrovë, Skrapar, si dhe janë plagosur 10 pasagjerë të tjerë,  jashtë rrezikut për jetën për momentin, të cilët janë nxjerrë nga shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit nga vendi ku u përmbys minibusi dhe po transportohen me autoambulanca për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje ndodhet dhe  grupi hetimor dhe vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit. /tvklan.al