Mungon Kosova, kërkohet bashkëpunim kundër pandemisë

Kryeministri shqiptar Edi Rama, homologu i tij në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan këtë të premte një takim online në atë që njihet si nisma e Minishengenit ballkanik. Edhe pse kishte marrë një ftesë dhe Kryeministri Avdullah Hoti e kishte konfirmuar pjesëmarrjen, ka munguar sërish Kosova. Gjithsesi në deklaratën e përbashkët të shpërndarë për mediat pas takimit, qeveria e Prishtinës është ftuar t’i bashkohet nismës duke kujtuar angazhimin e marrë në marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë. 

“Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ranë dakord se është shumë e rëndësishme që në nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal të marrin pjesë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata ftuan zyrtarisht Kosovën që të bashkohet me nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal”.

Në deklaratë thuhet se Rama, Vuçiç dhe Zaev theksuan se nisma është në përputhje të plotë me Procesin e Berlinit dhe përbën një bazë të mirë për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për takimin e ardhshëm që do të mbahet në nëntor në Sofje.

Fokusin kryesor të takimit e ka zënë pandemia ku përfaqësuesit e 3 shteteve ranë dakord se kriza ka theksuar nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe linjëzimin e politikave në lidhje me shëndetin publik në kontekstin e luftës kundër Covid-19.

Të tre janë angazhuar për të ngritur një grup pune të përhershëm që do të përfshijë përfaqësues zyrtarë nga secili prej vendeve, me qëllim përshpejtimin e zbatimit të veprimtarive, për të cilat është rënë dakord. Një ftesë ka shkuar sërish edhe për qeveritë e Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës që të mund t’i bashkoheshin nismës.

Tv Klan