Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeministri Ilir Meta ka piketuar emrat e kabinetit të ri qeveritar. Në listën e ministrave figurojnë emra të rinj si numri dy i qeverisë, Zëvendës Kryeministre dhe Ministre e Punës, Makbule Çeço. Një ëmër tjetër i ri është Preç Zogaj, aktualisht këshilltar pranë presidentit Mejdani. Liberal demokrati Zogaj do të jetë Ministër Shteti pranë Kryeministrit.  

Vendin e Ylli Bufit si ministre e Ekonomisë dhe Privatizimit e zë Ermelinda Meksi e cila zëvendësohet me Kastriot Islamin. Bashkim Fino zëvendëson Arben Demetin në krye të Ministrisë së Pushtetit Lokal. Ministrinë e Transporteve do e drejtojë Ingrig Shuli dhe Ministrinë e Ndërtimit e kanë marrë socialistët.

Në ndryshime strukturore të kabinetit qeveritar, Kryeministri Meta ka eleminuar Ministrinë e Informacionit, Ministrinë e Reformës. Kryeministri Ilir Meta ka ruajtur nga kabineti i Majkos, Ministrin e Jashtëm Paskal Milo, Ministrin e Rendit Poçi, Ministrin e Mbrojtjes Hajdaraga, Ministrin e Financave Angjeli, Ministrin e Kulturës Edi Rama, Ministrin e Arsimit Ruka, Ministrin e Shëndetësisë Solis, Ministrin e Drejtësisë Panda dhe Ministrin e Bujqësisë Xhuveli.

Kryeministri Ilir Meta është takuar me Presidentin e Republikës Rexhep Mejdani para të cilit ministrat e rinj dhe ata të vjetër, do të betohen së shpejti./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame